Në ç’moshë duhet të flisni për duhanin ?
Një e katërta e popullsisë zviceriane pinë duhan. Fëmijët që në moshë të vogël e dinë se duhani është i dëmshëm për shëndetin. Ju e dini këtë gjë dhe duhet t’ia përsërisni vazhdimisht. Fëmijët nuk e pëlqejnë tymin dhe ankohen shpesh kur prindërit pinë duhan. Por në adoleshencë kjo mund të ndryshojë.
Në moshën 15-vjeçare, ndër 10 të rinj 9 prej tyre nuk pinë duhan. Fëmija juaj njeh patjetër adoleshentë që pinë duhan. Ndoshta ai ka dëshirë ta provojë. Eshtë rast i mirë për të folur për duhanin. Duhet të mundoheni të dini se çfarë mendon fëmija juaj adoleshent. Mund të flisni kur shikoni një emision mbi duhanin, kur shikoni nje film në televizion, apo kur flisni për një mik që pi duhan. Ideja nuk është t’i mbani fjalim, por t’i transmetoni informacione që kanë kuptim për të. Duhet t’i thoni shpesh që duhani është i rrezikshëm për shëndetin në periudhë afatgjate. Shprehuni haptas që jeni kundër të gjitha produkteve të duhanit. Eshtë një mënyrë shumë e mirë për të ndihmuar fëmijën tuaj që të mos e fillojë kurrë pirjen e tij, edhe nëse ju e pini atë. Në këtë rast shpjegojini atij përse pini duhan.
Çfarë duhet të dijë adoleshenti për duhanin
Pa dyshim që ai/ajo duhet të dijë se pirja e duhanit është e rrezikshme. Por rreziqet e shëndetit nuk i interesojnë shumë adoleshentëve. Ju mund t’i thoni :
Me cigaren, ti humbet lirinë tënde
Nikotina shumë shpejt krijon varësi, madje shpesh pa e ditur. Kur jemi adoleshentë, bëhemi më shpejt të varur sesa një i rritur. Nuk është e thënë që duhet të pimë shumë duhan për të krijuar varësi.
Pirja e duhanit rrënon portofolin
Të pish duhan, kushton shtrenjtë. Të pish duhan, do të thotë më pak para për daljet, veshjet, për argëtimet, etj…
Industria e duhanit të manipulon
Industria e duhanit dëshiron paratë e tua. Ato bëjnë ç’është e mundur që ti të fillosh të pish duhan para moshës 20-vjeçare. Ato investojnë shumë para në reklama, në festivale, në rrjetet shoqërore, në kulturë.
Të mbash erë duhani nuk është joshëse
Të mban erë goja, rrobat e flokët mbajnë erë cigare. Ky nuk është parfumi më i mirë që ekziston. Kush e dëshiron këtë gjë ?
Duhani të heq oksigjenin
Të pish duhan do të thotë më pak oksigjen në gjak. Personat që nuk pinë duhan kanë rezultate më të mira në sport. Lëkura e tyre është më e bukur.
Pirja e duhanit streson zemrën
Nikotina shton rrahjet e zemrës, deri në 10/15 rrahje më shumë në minutë. Kur pimë cigare presioni në arterie rritet, edhe kur jemi adoleshent.
Të marrësh pilulë dhe të pish duhan është e rrezikshme. Vajzat që marrin pilulë rrezikojnë të kenë probleme të rënda të qarkullimit të gjakut.
A pi duhan fëmija im ?
Rrobat e tij mbajnë erë duhan. Shokët e shoqet e tij pinë duhan. A mendoni ju se fëmija juaj pi duhan ?
Nuk është mendim i mirë të kontrolloni plaçkat e tij për të verifikuar. Respektimi i sferës private është një e drejtë e fëmijës tuaj adoleshent.
Flisni me qetësi për këtë problem me vajzën apo djalin tuaj. Thojini çfarë mendoni pa e kritikuar personalisht.
Adoleshenti nuk pi duhan ? Përgëzojeni atë. Dhe thojini që ai ka bërë një zgjedhje të mirë !
Fëmija im pi duhan !
Kur prindërit mësojnë se fëmija e tyre pi duhan, shpesh ato nuk dinë si të veprojnë. A duhet t’i japim atij informata të shumta mbi rrezikun e duhanit ? A i duhet folur për kancerin e mushkërive ? Apo të themi « nuk është gjë serioze, ai duhet të ketë përvojat e tij » ?
Ju mund të filloni të diskutoni së bashku mbi situatën : sa kohë ka që pi duhan ? Sa pi ? Çfarë lloj cigareje pi ? Në çfarë situate pi ? Çfarë të jep pirja e duhanit ? Çfarë kërkon ai te duhani ?
Ky diskutim i përbashkët do ju japë një ide të qartë të situatës.
Më pas, shprehni hapur mendimin tuaj : ju nuk doni që famija juaj të pijë duhan. Shpjegojini përse : rrezik për shëndetin, tani ose më vonë, varësi të menjëhershme, etj… Insistoni mbi respektin e shtëpisë pa duhan.
Mendoni së bashku se si të veproni ndryshe, për të gjetur kënaqësitë e dëshiruara (çlodhje, të jesh i këndshëm me të tjerët, etj…)
Inkurajoni fëmijën tuaj për të ndaluar pirjen e duhanit.
Ai nuk ka dëshirë të lërë duhanin ? Vazhdoni ta informoni adoleshentin mbi duhanin. Thojini në mënyrë të vendosur që jeni kundër pirjes së tij. Qëllimi është që adoleshenti të ndryshojë pak nga pak.
Ai është i gatshëm të lërë duhanin ? Përgëzojeni dhe qëndroni të gatshëm për ta ndihmuar.
Konsultoni temën e trajtuar më lart « Prindërit »
Si ta ndihmoni fëmijën për të lënë duhanin ?
Më në fund, vendimi është marrë : fëmija juaj adoleshent dëshiron të heqë dorë nga duhani. Ju mund ta përgëzoni, ky vendim nuk është i lehtë, aq më tepër për një adoleshent. Të lësh duhanin është e vështirë dhe rifillimet janë të shpeshta.
Ju mund ta këshilloni që të konsultojë faqet e internetit që ndihmojnë në lënien e duhanit (psh. www.jarrete.qc.ca, www.stop-tabac.ch ). Ju mund t’i propozoni gjithashtu të shkojë te mjeku i tij ose te një specialist për të marrë këshilla. Ndoshta ata do ta këshillojnë që të marrë një zëvendësues nikotine.
Ju mund ta përkrahni adoleshentin në mënyra të ndryshme :
- T’i thoni që jeni krenar për veprimin e tij
- Të hiqni nga shtëpia çdo gjë që kujton duhanin : tavllë duhani, çakmak, etj…
- T’i bëni komplimente për parfumin që ka zëvendësuar erën e duhanit
- Të gjithë e respektojnë ndalimin e pirjes së duhanit në shtëpi
- T’u kërkoni shokëve të tij të ngushtë ta ndihmojnë të rezistojë kur janë jashtë
- Ta inkurajoni duke i bërë shpërblime të vogla për çdo etapë të kaluar me sukses (psh. pas një jave pa duhan)
- Ta ndihmoni të gjejë diçka tjetër që zëvendëson cigaren pas buke, në pushim, kur del me shokët/shoqet, në kafene, etj…
Ju mund të keni shumë ide krijuese për të përkrahur kurajën e tij ! Ne ju propozojmë disa mënyra për ta ndihmuar.
MJETE NDIHMESE :
Disa programe për të motivuar apo ndihmuar lënien e duhanit :
- stop-tabac.ch – për të ndihmuar lënien e duhanit
- smokefree.ch/fr/buddy-app/ – për ta sfiduar atë së bashku me dikë tjetër
- smokitten.com/fr/smokitten-le-jeu/ – një lojë për lënien e duhanit
Po nëse unë pi duhan ?
Në të vërtetë nuk është e thjeshtë. Nuk është një shembull i mirë. Ju e dini këtë gjë. Influenca e prindërve luan rol, ashtu sikurse dhe pirja pasive e duhanit. Ju ndoshta keni rënë në kurthin e cigares, dhe duhet të paralajmëroni adoleshentin tuaj për këtë rrezik.
Ju mund të filloni te diskutoni duke i thënë të vërtetën. T’i shpjegoni sesi e keni filluar pirjen e duhanit.
E rëndësishme është t’i shpjegoni se të gjitha produktet e duhanit janë dredhi. Eshtë kurth i ndërrmarrjeve të mëdha pa skrupuj. Shumë personave që bien në këtë kurth u vjen keq më vonë.
Bëni atë që thoni : mos pini duhan në shtëpi, as në veturë. Bëni shumë kujdes me pirjen pasive të tij. Madje ju mund të shfrytëzoni mundësinë e këtij diskutimi me adoleshentin tuaj për të vendosur që të hiqni dorë nga pirja e duhanit.