Të zbuloni që fëmija juaj pi kanabis, mund të jetë një tronditje e fortë. Disa prindër qortojnë veten. Ata janë të zhgënjyer, ose kanë frikë. Në këto raste ata janë shumë të rreptë dhe reagojnë me gjaknxehtësi, pa menduar mirë. Adoleshenti, nga ana e tij, mbyllet në vetvete.
Disa prindër të tjerë mendojnë se pirja e kanabisit është pa rrezik ose « normale në adoleshencë ». Ata nuk reagojnë. Shumë të rinj konsumojnë kanabis, pastaj e lënë menjëherë. Mirëpo nuk mund ta dimë paraprakisht si do të zhvillohet konsumimi i tij. Pra, reagimi i prindërve është i rëndësishëm.
Si duhet të reagoni ? Idealja është të gjeni një rrugë të mesme : mos e dramatizoni, por as mos e banalizoni. Të thoni qartësisht që kanabisi mund të jetë i rrezikshëm, pa e dramatizuar.
Nëse ju zbuloni që adoleshenti juaj ka konsumuar kanabis, mundohuni të dini më tepër për këtë gjë. Ishte thjesht për ta provuar ? Sa ? Herë pas here ? Apo shpesh ? A ka dëshirë ai të pijë shpesh ? A mendon ai se kanabisi nuk është i rrezikshëm ? A i njeh ai rreziqet e konsumimit të kanabisit ?
Mbi të gjitha mbani një vështrim pozitiv për fëmijën tuaj. Qëndroni të hapur dhe sa më të qetë të jetë e mundur. Në këtë mënyrë, ju inkurajoni fëmijën tuaj të jetë i sinqertë me ju dhe favorizoni dialogun. Ju i tregoni atij se ai mund të ketë besim te ju. Mirëpo të jeni të hapur dhe të qetë nuk do të thotë të jeni dakord me sjelljen e tij.
- Fëmija im adoleshent e ka « provuar » kanabisin
Nëse fëmija juaj ka pirë kanabis një ose dy herë : pyeteni se si ndodhi. Çfarë ndieu ai ? Ishte për kuriozitet ? Apo pse pinin të tjerët ? Shpjegojini fëmijës tuaj çfarë ju shqetëson. Thuajini gjithashtu se roli i prindërve është vendosja e kufijve. Shpjegojini se ju nuk doni që ai të vazhdojë të konsumojë kanabis.
- Fëmija im adoleshent pi kanabis herë pas here
Nëse fëmija juaj pi kanabis me raste, për shembull gjatë një feste apo me shokët : thuajini qartë se ju doni që ai ta ndalojë atë. Nëse fëmija juaj refuzon, diskutoni me të për rreziqet lidhur me konsumimin e kanabisit. Ç’duhet bërë që ky konsumim të mos shtohet ? Kërkojini atij të mos ngasë kurrë biçikletë, motoçikletë apo veturë, pasi ka pirë kanabis. Kërkojini atij të mos qëndrojë kurrë në një veturë, të cilën e nget një person që ka pirë kanabis.
Nëse fëmija juaj është shumë i ri, këmbëngulni që ai ta lërë atë, sepse truri krijon një lidhje shumë të fortë midis kënaqësisë dhe kanabisit. Si rrjedhojë, bëhet refleks mendimi : kam dëshirë të kënaqem = zgjidhja ime është të pi kanabis.
- Fëmija im adoleshent konsumon kanabis rregullisht
Nëse fëmija juaj adoleshent pi rregullisht kanabis : mundohuni të mësoni nëse konsumimi i tij është i zakonshëm. A ka ndërmend ta lërë ? Çfarë rëndësie ka në jetën e tij ? A është bërë një zakon ? Për të hapur diskutimin, ju mund t’i thoni atij :
- Çfarë rëndësie ka kanabisi në jetën e tij ?
- Si mund ta shmangë ai rritjen e rëndësisë së kanabisit ?
- Në çfarë situate ai ka kënaqësinë të pijë kanabis ?
- Në çfarë situate ai nuk ka kënaqësinë të pijë kanabis ?
- Ç’bën ai për të pasur rezultate të mira në shkollë apo punë ?
Ju mund të diskutoni me të për motivimet e tij :
- Pse pi ai ?
- Për të ulur stresin e tij ?
- Për të harruar problemet e tij ?
Nëse adoleshenti pi për të harruar ndjenjat negative, thuajini që kjo gjë ju shqetëson. Mundohuni të gjeni së bashku përgjigjet për problemet e tij.
Të pini kanabis (apo alkool) kur nuk ndiheni mirë, ju ngushëllon për momentin. Por me kalimin e kohës, do të keni më pak forca për të luftuar problemet. Në këtë mënyrë, problemet mbeten dhe dëshira për të pirë (kanabis ose alkool) shtohet.
Duhet të shqetësoheni nëse fëmija juaj pi kanabis :
- Pa mbushur moshën 16 vjeç
- Gati çdo ditë
- Para dhe gjatë shkollës apo punës
- Gjatë gjithë, apo pothuajse, kohës së tij të lirë
- Për t’u ndierë më mirë
- Para se t’i japë veturës apo të përdorë mjete të tjera lëvizëse